Shoferi 43-vjeçar humb jetën në aksident pas ndjekjes policore

Jugulajm.net
2 Min Read

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur, ku një 43-vjeçar ka humbur jetën në aksident gjatë ndjekjes policore, teksa burime zyrtare sqaruan se para kësaj ngjarjeje fatale viktima kishte shkuar afër Komisariatit të Lushnjës, duke bërë manovra të rrezikshme me mjet dhe duke bërtitur.

“Rreth orës 01:45, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë. Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij”, bëri me dije policore vendore.

Sipas dinamikës, drejtuesi kur ka parë Patrullën, ka hipur në mjetin e tij dhe është larguar me shpejtësi të madhe. Por te vendi i quajtur “Plasmasi” është përplasur në rrethrrotullim dhe për pasojë ka humbur jetën.

“Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti  është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën”, bëri me dije policia për rrethanat.

Nuk dihen arsyet pse 43-vjeçari nga kryeqyteti ka shkuar para Komisariatit duke kryer ato veprime, por ngjarja është ende nën hetim.

Share This Article