Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masa sigurie personale ndaj dy punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Masat e vendosura janë “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, sipas neneve 242 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale.
Të dy efektivët, me iniciale D. S., shërbenin përkatësisht në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban, si dhe në Trupën e Shërbimit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Vendimi vjen në kuadër të një procedimi penal të vitit 2026, që lidhet me ngjarjen e ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizës, ku mbetën të plagosur rëndë tre shtetas. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se punonjësit e policisë nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre funksionale në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.




