FOTO/ Aksioni i policisë, 14 të arrestuar, sekuestrohen armë, thika dhe uniforma policie

Jugulajm.net
3 Min Read

Policia ka arrestuar 14 persona në një lokal, të cilëve iu gjetën armë, municione, uniforma policie, thika dhe sende të tjera, në Bradashesh të Elbasanit.

Në pranga ranë shtetasit: E. T., 39 vjeç, H. M., 25 vjeç, A. K., 49 vjeç, M. S., 47 vjeç, B. M., 53 vjeç, J. M., 30 vjeç, A. D., 49 vjeç, E. D., 29 vjeç, banues në Tiranë; T. Z., 52 vjeç, S. M., 46 vjeç, E. C., 36 vjeç, E. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, B. H., banues në Itali dhe një 17-vjeçar (djali i shtetasit T. Z.).

Sipas policisë, shtetasit e arrestuar janë me precedent kriminal të theksuar në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve (recidivistë), si dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë siguruar informacion për një rast të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të këtij informacioni, është organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Fast”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin e shtetasit T. Z., në fshatin Bradashesh, ku ndodheshin këta 14 shtetas. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën 3 armë zjarri dhe municion luftarak”, tha policia.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën elektroshot (dorezë neuroparalizuese), 4 radio si të Policisë, jelek me mbishkrimin “Policia”, send në formë pistolete, sinjalizues (send metalik në formë pistolete), thikë, shkop metalik, shuma parash, 4 automjete , 13 celularë dhe DVR.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të kryera në bashkëpunim. 14 të arrestuar në Elbasan, sekuestrohen armë dhe uniforma

Share This Article