Efektivi i policisë Erjon Goxhara është vetëdorëzuar këtë të mërkurë në Policinë e Tiranës.
Ai ndodhej në kërkim që prej ditës së hënë, kur qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, në zonën e “Komunës së Parisit”.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç”, tha Policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Goxhara e qëlloi Kostën me 6 plumba në pjesën e gjymtyrëve duke e lënë të plagosur.
Shkak për ngjarjen u bë lidhja sentimentale që 45-vjeçari kishte me bashkëshorten e efektivit të policisë.