Zjarri në Shëngjin po del jashtë kontrollit.

Edhe pse zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe banorët e zonës po luftojnë prej disa orësh me flakët, zjarri zbriti në zonën bregdetare, duke iu afruar një resorti ku ishin akomoduar pushues të shumtë, në zonën e Ranës së Hedhun.

Flakët përfshinë një lokal në breg të detit si edhe disa çadra plazhi, duke e bërë situatën alarmante.

Zjarrfikësit po përpiqen të vendosin nën kontroll situatën, ndërsa pushuesit po largohen të frikësuar nga zona.

Flakët favorizohen dhe përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë por dhe bimësisë së dendur.

Zjarri nisi në malin e Shëngjinit pasditen e 28 korrikut dhe për disa orë u vendos nën kontroll, por vatra u riaktivizua pasditen e së hënës. Flakët u favorizuan nga era dhe zjarri zbriti nga zona malore e Shëngjinit në bregdet duke rrezikuar banorët, pushuesit dhe godinat.