Nga Alida Lula
SCAN tv udhëtoi drejt Sazanit, ishullit më të madh të Shqipërisë, i cili ngjason sot me një vend, ku çdo epokë e historisë ka lënë gjurmën e saj. E më dominuesja është ajo e periudhës së Luftës së Ftohtë, kohë kur çdo ditë drejt tij, anijet lundronin për të dërguar atje ushqime dhe ujë për banorët….Ndërsa sot, anijet udhëtojnë drejt ishullit të shkretuar, për të dërguar atje vetëm turistë që duan të mësojnë se si jetohej në bazën ushtarake më sekrete të Shqipërisë deri para 30 vitesh. Për gazetaren e SCAN Tv, Alida Lula, ish-komandanti i fundit në këtë bazë ushtarake Sulejman Abazi, sjell rrëfime nga jeta në këtë pikë të rëndësisë së veçantë, që ishte një nga pozicionet prej nga ku kontrollohej porta e Adriatikut dhe e Jonit.
“Për 6 vite kam qenë komandant i këtij garnizoni ushtarak. Një jetë aktive, por e vështirë. Këtu ka patur dinamikë të aktivitetit ushtarak, ku nuk i shpëtuam ngjarjeve të veçanta që lanë edhe gjurmë. Kemi patur ngjarje si rrëmbimi i çisternës, një anije transporti etj. Ky izolim ndikonte dhe në detyrën ushtarake, duhet theksuar se në këtë ishull, 1/3 e efektivit ishte në gatishmëri absolute. Një nga arsyet që mbrojta doktoraturën në fushën e sociologjisë, ishte jetesa në këtë ishull, për mua është si një universitet i dytë” – thotë kolonel Suljeman Abazi.
Në kulmin e saj në vitet 1970, baza kishte një personel prej më shumë se 3500 vetë, përfshirë civilë dhe ushtarë. Në këtë ishull enigmatik për më shumë se gjysmë shekulli, banorët gëzonin privilegje nga shteti në trajtimin ushqimor, arsimor, të ndihmës mjekësore, furnizime të veçanta, librari, bibliotekë, këtu kishte kinema falas, kopsht dhe çerdhe për fëmijë, shkollë 8-vjeçare ku nxënësit trajtoheshin 100% me bursa të zgjedhura. Gazetarja Alida Lula në brendësi të shkollës, tregon se çfarë ka gjetur brenda kësaj godine të brakstisur që ka marë emrin “22 tetori’’ sipas datës së çlirimit të këtij ishulli nga pushtuesit gjermanë. Ndërkohë, pranë bllokut të pallateve ku kanë jetuar familjet e ushtarakëve, shihet transformimi si është transformuar kjo qytezë dedikuar ushtarakëve. Rreth 3600 bunkerë qëndrojnë ende hijerëndë në sipërfaqen e ishullit prej rreth 6 km2. Në planizimin luftarak rezultonte se Sazani mund të luftonte 6 muaj në rrethim, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Ndërsa sot gjithçka është e heshtur, në pritje të investimeve, për t’i rikthyer shkëlqimin një ishulli të veshur me çelik e beton, si “vija e parë e frontit”. Interesi dhe aplikimi për një projektit luksoz prej 1 mld dollarësh nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, është mirëpritur nga vlonjatët dhe të zgjedhurit vendorë. Projekti synon hotele, port për vaporë e jahte, resorte, plazhe, linja turistike, vila, hotele, rrugë, pista ulje për helikopterë, investime që e shndërrojnë ishullin në një qytezë mahnitëse.
“Ku ta gjejmë që ky projekt të zbatohet, presim që ky ishull të marri jetë pasi është një ishull i vdekur. Patjetër që ekonomia do të ketë reaksionin zinxhir, gjithë prodhuesit lokal do ta kenë më të lehtë, shtohet një pikë tjetër dhe kjo e çon në një nivel tjetër ofertën turistike të Vlorës” – thotë Ermal Dredha, kryetar i bashkisë Vlorë.
Banorët dhe bizneset e qytetit bregdetar e shohin si një mundësi shumë të mirë ardhjen e një investitori të tillë, pasi ishulli nuk duhet të mbahet peng nga e shkuara, por të sjellë zhvillim, e jo vetëm për Vlorën.
“Jam pro këtij investimi, do të sjellë zhvillim’’- thotë një banore.
“Unë kam besim se Vlora do të ketë zhvillim. Unë kam 60 vjet që merrem me menaxhim lokalesh dhe restorantesh”- thotë një tjetër banor.
Investimi sipas operatorëve turistikë, do ta kthejë Sazanin në një qytezë që do të rrisë ekonominë, pasi turistët nuk do të shohin më nga Korfuzi, por nga ky ishull me pamje piktoreske dhe një pozicion strategjik, që nuk e ka asnjë ishull tjetër në Mesdhe.
“Imagjinoni të kemi z. Kushner përballë dhe ai të ketë Vlorën përballë vetes. Unë jam një nga operatorët që e them me bindje se kjo pikë duhet të ndryshojë dhe ky projekt është marketing i pastër për Shqipërinë, pasi do të vijonë investimet strategjike”- tregon Vasil Bedinaj, kryetar i tur-operatorëve në jug të vendit.
Ishulli i Sazanit, përmendet në shumë episode ushtarake, që shtrihen nga antikiteti e deri ne Luftën e Parë Botërore. Ndërtime të rëndësishme u bënë në Ishullin e Sazanit nga Italia të cilës ishulli i ishte premtuar në Traktatin e Londrës të vitit 1915. Italia filloi një program ambicioz pa humbur kohë duke nisur me ndërtimet me qëllim për ta kthyer ishullin në bazë detare për të kontrolluar pikën strategjike të ‘‘Ngushticës së Otrantos’’. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Italia ia dorëzoi ishullin Shqipërisë si pjesë së marrëveshjes së paqes midis dy vendeve e nënshkruar në vitin 1947. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet Shqipëria do të kthehej në një nga vendet më të izoluara pas Perdes së Hekurt, nën regjimin e Enver Hoxhës. Dikur i izoluar totalisht, Sazani për vizitorët bëhet një nga destinacionet më të kërkuara. Një marrëveshje e fimorsur 7 vite më parë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes lejoi turistët për vizita turistike në ishullin e Sazanit. Guidat për Sazan, ofrohen gjatë periudhës Qershor- Gusht nga guid-operatorë të licensuar me një leje të vecantë dhe ky ishull është edhe pika e tyre më e fortë.
“Na interson që të bëhet diçka e bukur, sepse fiton Shqipëri dhe jo vetëm Vlora” – thotë për SCAN Agim Toçi, guidë turistke.
Ndërtimi i një resorti luksoz do ta kthejë Shqipërinë në klubin e turizmit elitar. Futja e Shqiërisë në hartën e llojit aman me eco-resortin, janë modele pararojë të ndryshimit të shumëpritur, të cilat janë përkarahur edhe nga ambjentalistët, të cilët kanë thënë se duhet të ruhen ekuilibrat.
“Nuk jemi kundër këtij projekti, sepse turizmi elitar na jep mundësi që të ruhet edhe natyra e mjedisi. Vlora e mirëpret zhvillimin. Ishulli i Sazanit ka gjurmë të rënda të së kaluarës militare, ndaj duhet të jemi miqësorë me mjedisin”- tregon eksperti i mjedisit, profesor Simo Ribaj
Menjëherë pas aplikimit për këtë projekt ambizcion çmimet e apartameneteve në Vlorë përballë ishullit që pritet të transformohet nga një ishull municionesh në një destinacion luksoz, janë rritur menjëherë.
“Efekti ka qënë i menjëhershëm, imagjinoni ende pa filluar zabtimin projekti, çmimet janë rritur deri në 200 euro për m2 në Vlorë. Me filllimin e zbatimit të projektit, çmimet do kapërcejnë në një nivel tjetër, madje vlera e pronës do të rritet në të gjithë jugun’’ – shton Erion Harizi, Kryetar i Shoqatës së ndërtuesve në vend
Ndërsa Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, thekson se: “Turizmi elitar është shumë i rëndësishëm. Ekspertët kanë nxjerrë konkulzionet se brenda 10 viteve do të trefishohet numri i turistëve elitar dhe nga 160 mld euro, do të kalojë në 540 mld euro”.
Kthimi i Shqipërisë në qendër të vëmendjes për potencialin e saj turistik me rritjen e pandalshme të turistëve, po rrit interesin e investimeve strategjike, ashtu si kjo kampani që kërkon ta shndërrojë këtë ishull, nga një fortesë të ‘papushtueshme’ në eko-resorte luksoz.