Kryeprokurori Olsian Çela nga Komisioni i Ligjeve ka prezantuar raportin për vitin 2022, lidhur me kriminalitetin në vend.
Çela tha se qarku i Gjirokastrës rankohet me përqindjen më të qartë të kriminalitetit ndërsa Berati me përqindjen më të ulët.
“Gjatë vitit 2022, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 61114 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 0,16 % në krahasim me vitin 2021. Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021, dhe 695 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 26,06 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021.
Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 5,21 % në krahasim me vitin 2021. Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi ose me rritje 2,57 % të këtij raporti krahasuar me vitin 2021. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021”, tha ai.
Sakaq shtoi se sfidë për prokurorinë mbetet “rrija e efektivitetit kundër krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike”.
“Si konkluzion, referuar numrit, llojeve, shtrirjes territoriale, intensitetit dhe formave të kriminalitetit e masave të tjera të analizuara mësipërm dhe në mënyrë më të hollësishme në raport, organi i prokurorisë ka përmbushur detyrat kushtetuese e ligjore dhe ka ndjekur rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE-së dhe planin e veprimit të ICRG/FATF i i cili është përmbushur, prioritete kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, rritjes së efektivitetit kundër krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, duke siguruar një procedim të drejtë dhe duke garantuar liritë personale, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve dhe subjekteve të procedimit penal”, tha ai.