Futboll, “Luftëtari” shkëlqen ndaj “Këlcyrës”, fiton 5-1, ja shënuesit…

Jugulajm.net
2 Min Read

Nga Fatos Lamaj

“Luftëtari” ka regjistruar një fitore të rëndësishme në përballjen ndaj “Këlcyrës” duke triumfuar me rezultatin e thellë 5-1.

Skuadra gjirokastrite ka dhuruar një paraqitje bindëse duke treguar forcën e saj në sulm dhe duke siguruar tri pikë të rëndësishme.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për “Luftëtarin” që kaloi në avantazh që në minutën e 8-të me anë të Ziaj.

Vetëm 11 minuta më vonë Diamanti dyfishoi shifrat duke i dhënë një tjetër goditje “Këlcyrës”.

Pavarësisht disavantazhit të dyfishtë Këlcyra nuk u dorëzua dhe arriti të reagoj në minutën e 22-të.

Shele u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke ngushtuar diferencën në 2-1 dhe duke rikthyer emocionet në sfidë.

Diamanti u bë sërish protagonist në pjesën e dytë duke realizuar golin e dytë personal në minutën e 77-të dhe të tretin për skuadrën e tij.

Ky realizim i dha më shumë qetësi “Luftëtarit”, që në minutat e fundit shënoi edhe dy herë të tjera.

Dulaj realizoi golin e katërt në minutën e 85-të ndërsa vetëm dy minuta më vonë Devolli vulosi rezultatin përfundimtar 5-1.

Një fitore e thellë për “Luftëtarin”, që konfirmon forcën e tij në këtë përballje, ndërsa “Këlcyra” largohet nga fusha me një humbje të rëndë.

Vlen të theksohet se “Këlcyra” zhvilloi në tërësi një ndeshje të mirë pavarësisht rezultatit përfundimtar.

Skuadra mike nuk mungoi të kërkonte lojën duke tentuar të rrezikonte përmes krosimeve nga krahët dhe disa tentativave drejt portës së “Luftëtarit”.

“Këlcyra” tregoi se kishte mundësi të krijonte raste dhe të konkurronte por efikasiteti i vendasve në fazën sulmuese bëri diferencën në këtë përballje.

“Luftëtari” – “Këlcyra” 5-1

Golat: Ziaj 8, Diamanti 19,77, Dulaj 85, Devolli 87/Shele 22(11-m).

Share This Article