37-vjeçarja shtatzanë ndërroi jetë, flet motra: Po të ishim nisur më herët do kishte shpëtuar…

Jugulajm.net
3 Min Read

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku 37-vjeçarja shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore.

Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, ka folur motra e saj, Albina Mekolli, e cila e kishte dërguar në spital pasi ajo kishte dhimbje të forta barku. Ajo ka rrëfyer mes lotësh momentet e vështira kur e çoi të motrën në spital. Gjendja e gruas ishte tepër e rëndë dhe ajo duhet të transportohej drejt Tiranës.

“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme. Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, rrëfeu Albina.

Më tej, sipas dëshmisë së saj, Marjana u dërgua te reanimacioni, ndërsa familjarët pretendojnë se pati vonesa përpara nisjes me ambulancë drejt Tiranës. Ajo beson se një ndërhyrje apo transport më i shpejtë mund të kishte ndryshuar fatin e motrës së saj.

“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak. Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, sepse mbase fëmija nuk do të kishte shpëtuar. Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte”,-tha ajo.

Familjarët kanë kërkuar hetim të plotë për të përcaktuar nëse vonesat kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së 37-vjeçares dhe në humbjen e jetës së saj.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh motra e Marjana Karolina Bunajt.

Sipas familjarëve, bashkëshorti i 37-vjeçares ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për të realizuar bashkimin familjar. Fëmija që Marjana priste ishte i pari për çiftin.

Share This Article