Elektricisti Bashkim Boçi 54 vjeç humbi jetën gjatë ndërhyrjes për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Potamit, në Himarë, pas stuhisë që përfshiu vendin mbrëmjen e së martës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në reagim në rrjetet sociale vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e punonjësve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të cilët punojnë në kushte të vështira për garantimin e furnizimit me energji elektrike.
“Pas çdo rikthimi të energjisë, është kontributi i njerëzve që punojnë në kushte të rrezikshme, larg familjeve të tyre, për t’u shërbyer qytetarëve. Sot, një prej tyre nuk u kthye më. Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen e jetës së kolegut tonë, Bashkim Boçi, i cili ra në krye të detyrës, ndërsa ishte i angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq në zonën e Himarës”, u shpreh ministri.
Karakaçi bëri të ditur se Boçi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000, duke ushtruar detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në çastin e fundit.
Ministri u shprehu ngushëllimet familjarëve, të afërmve dhe kolegëve të viktimës, duke theksuar se kontributi dhe sakrifica e tij në shërbim të qytetarëve do të nderohen me mirënjohje.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




