Banorët e fshatit Bedyqas në Bashkinë Këlcyrë, po përballen me ujin e pijshëm i cili është i ndotur. Nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Këlcyrës, thuhet e kundërta. Kjo pasi sipas autoriteteve vendore, uji i është nënshtruar analizave bakteriologjike dhe ka rezultuar i pijshëm si dhe klorinohet periodikisht.

Mirëpo banorët e këtij fshati, këmbëngulin se pastërtia e ujit është larg parametrave normal dhe për këtë qëllim, kanë gjetur rrugën e shkurtër duke mbartur ujë me kafshë nga burime të tjera alternative larg fshatit. Ai që ka makinë e ka të siguruar ujin e pastër të pijshëm, ndërsa ata që nuk kanë mundësi, konsumojnë nga ky ujë.

Banorët të cilët guxuan të denonconin këtë problematikë, janë kryesisht të papunë e pensionistë që nuk kanë raport financiar me institucionet publike ku siç shprehen, nuk kanë se çfarë të humbasin me këtë denocim i cili në fakt nuk është risi. Për të vërtetuar pretendimet e tyre, kërkuam prej njërit nga banorëve të demonstronte cilësinë e ujit në rubinetin e shtëpisë.

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Këlcyrës shprehet se pretendimi i banorëve nuk qëndron pasi sipas zyrtarëve të këtij institucioni, uji është i pastër dhe klinikisht e bakteriologjikisht i çertifikuar.

Fshati Bedyqas ka gati 200 banorë dhe përherë përgjatë viteve të fundit, banorët e tij janë ankuar për cilësinë e ujit në rubinetat e banesave të tyre.