Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 61”.

U kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës 500 euro për person, 3 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin në Shkodër, vihen në pranga 2 shtetas kosovarë.

Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor dhe ata të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të punës së pandërprerë, në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 61”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve kosovarë: O. B., 19 vjeç dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Kosovë.

Në aksin nacional Jorgucat-Tepelenë, në vendin e quajtur “Votuca”, shtetasi F. Sh., duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka vazhduar lëvizjen. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë dhe pas ndekjes, në afërsi të qytetit të Memaliaj, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. Sh. dhe pasagjer shtetasin O. B., automjet me të cilin këta dy shtetas po transportonin kundrejt pagesës 500 euro për person, 3 emigrantë nga vendet MENA, në drejtim të Shkodrës, ku ata synonin të kalonin ilegalisht kufirin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 2 aparate celulare dhe një shumë parash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.