Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur për dokumentarin italian ‘I narcos albanesi’ duke thënë se nuk ka qenë i korruptuar.
Ai ka folur në një intervistë për gazetarin italian Nello Trocchia ndërsa dokumentari do të transmetohet ditën e sotme në orën 21:25.
Tahiri ka thënë se nuk ka lidhje me trafikun e drogës pasi në të kundërt nuk do të shkonte në Itali në kohën kur ishte ministër dhe të kërkonte nga ‘Guardia di Finanza’ që të dyfishoheshin monitorimet.
Tahiri, pak ditë pas intervistës, përfundoi në burg për shpërdorim detyre i dënuar me 3 vite e 4 muaj, i akuzuar për lidhje me një grup kriminal të dedikuar për trafikimin e marijuanës drejt Italisë.
“Më vunë ‘bombat’ dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, marijuana nuk është histori kriminelësh, por varfërie”, thotë Tahiri.
Ish-ministri, tashmë në burg, tregon për pagat që trafikantët e drogës u garantojnë kultivuesve, 5 mijë euro në vit vetëm për të rritur marijuanën në fushat e shndërruara në plantacione, para që në Shqipëri përfaqësojnë një shumë të madhe. Kështu trafikantët arritën të rrisin prodhimin dhe të bëhen në këtë sektor ndër eksportuesit e parë në arenën kriminale ndërkombëtare.
“Nëse bën një punë normale duke punuar shumë, mund të fitosh deri në 300 euro në muaj, por duke qenë kriminel mund të fitosh të njëjtën shumë në një minutë. Ja pse shumë të rinj tërhiqen nga kjo jetë, gjithmonë paraja dhe pushteti”, thotë një ish-trafikant droge.