Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku kërkon nga Drejtorët e Departamenteve të Policisë së Shtetit që të dalin e inspektojnë në terren. Kjo ishte porosia që iu dha ditën e djeshme, gjatë takimit prezantues me drejtorët e Departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë dhe drejtorët e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Drejtori i ri i Përgjithshëm ka kërkuar ndryshim të vizionit që ata kanë.
“Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qasjen ndaj komunitetit dhe luftën ndaj krimit dhe jo të ndryshoj emra. Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit. Unë si Drejtor i Përgjithshëmnuk do t’ju telefonoj asnjëherë për të ndihmuar apo toleruar njeri, ndaj kërkoj me vendosmëri që të zbatoni ligjin dhe të mbroni e të ndihmoni stukturat kur ato zbatojnë ligjin me këdo”.
Rrumbullaku ka kërkuar kontroll të plotë të territorit dhe të mënyrës së funksionimit të strukturave në terren; ndryshim të menjëhershëm të situatës në drejtim të parandalimit të krimit në përgjithësi dhe analiza të veçanta për ngjarje kriminale, duke nxjerrë përgjegjësitë dhe mangësitë e strukturave në atë territor ku kanë ndodhur ngjarje kriminale apo krime në familje.
Gjithashtu Rrumbullaku u ka dërguar një shkresë të gjitha drejtorive të qarqeve dhe shefave të komisariateve dhe ka kërkuar disiplinë pune duke rrespektuar oraret, uniformën dhe normat e sjelljes ndaj qytetarëve. Po ashtu, në ditët në vijim pritet që të ketë edhe ndryshime në radhët e policisë nga persona të cilët dyshohet se janë të lidhur me krimin.