Me urdhër të kreut të policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, konkursi për fitimin e gradës ‘kryekomisar’ në radhët e uniformave blu është anuluar.
Urdhri i kryepolicit mban datën 20 Shtator, i cili ndërpret konkurrimin për qindra punonjës policie të cilët aplikuan për të qenë mes 75 fituesve.
Gara për gradën ‘kryekomisar’ u hap më 15 Gusht të këtij viti, nga ish-kreu policisë, Gledis Nano dhe kishte si qëllim promovimin e efektivëve në radhët e uniformave blu. Rihapja e këtij konkrusi vinte pas më shume se 4 vitesh, pasi ishe pezulluar prej vitit 2018 .
Për fitimin e kësaj grade efektivët në nivel ‘komisari’ që shprehën interes për të aplikuar, do duhet të kalonin fazën e testimit me shkrim dhe atij me gojë për pjesën teorike.
Krahas këtyre, nga ana e komisionit të dhënies së gradës, kryhet dhe një verifikim i kualifikimit të efektivit në garë.
Vetëm pak muaj më parë policia e shtetit hapi aplikimet për gradën ‘drejtues’ dhe ‘drejtues i parë’, garë kjo që u fitua nga rreth 58 efektivë nga 134 që aplikuan në total.