Kombëtarja shqiptare luan sot në Varshavë ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2024. Një sfidë e vështirë ndaj Polonisë vendase, e cila ka humbur pak ditë më parë përballë Republikës Çeke me shifrat 3-1.

Pikërisht ky fakt e bën edhe më të vështirë takimin e parë nën drejtimin e Silvinjos, i cili ka vendosur që në ndeshjen e sotme të rreshtojë në fushë një formacion sulmues, me shumë emra me tipare ofensive nga minuta e parë.

Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, në rreshtim luajnë njëkohësisht Asani, Uzuni dhe Cikalleshi, të cilët do të kenë si detyrë të kërkojnë golin dhe të mbajnë të angazhuar mbrojtjen vendase.

Sa u përket zgjedhjeve të tjera, Strakosha ka fituar balotazhin me Berishën në portë, ndërsa në mesfushë Gjasula dhe Ramadani ofrojnë më shumë mbulim para mbrojtjes, me Asllanin në mbështetje të sulmit.

FORMACIONET ZYRTARE

POLONIA: Sheznji, Frankovski, Bednarek, Salamon, Kivior, Kaminski, Lineti, Zielinski, Zalevski, Sviderski, Levandovski.
Trajner: Fernando Santos

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Hysaj, Mihaj, Kumbulla, Gjasula, Ramadani, Asllani, Asani, Uzuni, Cikalleshi.
Trajner: Silvinjo