U nda nga jeta në moshën 85 vjeçare ish ministri i Jashtëm grek Theodhoros Pangalos.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij, përmes llogarisë së tij në Twitter.

Theodoros Pangalos lindi në Elefsinë më 17 gusht 1938. Ai studioi Drejtësi në Universitetin e Athinës dhe Ekonomi (Doktor i Shkencave Ekonomike) në Universitetin e Parisit I (Pantheon Sorbonne) me bursë nga qeveria franceze.

Në vitin 1981 u zgjodh për herë të parë deputet i PASOK-ut, detyrë të cilën e mbajti vazhdimisht deri në vitin 2012.

Ka qenë zëvendësministër i Tregtisë (1982), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme për Çështjet e Komunitetit Evropian (1984), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme (1985-1989). Gjatë periudhës 1989-1993 ai u emërua Përfaqësues i Parlamentit Grek në Këshillin e Evropës.

Në tetor 1993 u betua sërish si zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në korrik të vitit 1994 mori detyrën e Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve. Në janar të vitit 1996 u betua si Ministër i Punëve të Jashtme, duke kryer detyrën deri në shkurt 1999.

Në prill të vitit 2000 u betua si Ministër i Kulturës, duke mbajtur detyrën deri në nëntor të vitit 2000. Ai ishte Kryetar i Delegacionit Grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Evropian Perëndimor dhe në Këshillin e Evropës.

Në qershor 2003, përfaqësuesi i PASOK-ut u emërua në Këshillin e Politikës së Jashtme. Në nëntor 2004 emërohet Koordinator i fushatës parazgjedhore të PASOK-ut. Ai u rizgjodh anëtar i Këshillit Politik të PASOK-ut dhe u emërua përgjegjës për Sektorin e Zhvillimit, Konkurrueshmërisë dhe Politikës së Konsumatorit. Më pas ai mori përgjegjësinë për Departamentin e Vetëqeverisjes, Administratës Publike dhe Drejtësisë, ndërsa drejtonte Departamentin kritik të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Në shtator të vitit 2006, ai mori detyrën e Raportuesit të Përgjithshëm të PASOK-ut në procedurat për Rishikimin e Kushtetutës.

Nga viti 2004 deri në zgjedhjet e 2009, ai përfaqësoi Parlamentin grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Evropian Perëndimor dhe në Këshillin e Evropës.

Më 6 tetor 2009 u betua si zëvendëskryeministër. Ai e mbajti detyrën deri në maj 2012.