Përhapet me shpejtësi lija e majmunëve. Rreth 80 raste të lisë së majmunëve janë konfirmuar në 11 vende, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke paralajmëruar se ka të ngjarë të raportohen më shumë raste.
OBSH njofton se 50 raste të tjera të dyshuara janë duke u hetuar, pa përmendur asnjë shtet. Më herët, infeksionet u konfirmuan në Itali, Suedi, Spanjë, Portugali, SHBA, Kanada dhe Britani, ku u raportua rasti i parë evropian.
Lija e majmunëve është më e zakonshme në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.
Është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i butë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar .
Virusi nuk përhapet lehtë midis njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet të jetë shumë i ulët. Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunit, por një vaksinë kundër lisë ofron 85% mbrojtje pasi të dy viruset janë mjaft të ngjashëm.