Një shqiptar është arrestuar në Greqi pasi u ndoq për një periudhë disa mujore nga policia.

52-vjeçari besohet të jetë “koka” e një karteli të madh droge dhe ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në momentin që u kap.

Shqiptari merrej me trafik narkotikësh dhe shpërndarjen e shumave të mëdha të parave, ndërsa biznesi ishte i përqendruar kryesisht në Holandë.

Siç njofton Ministria e Financave, organizata kriminale trafikonte në baza ditore, nëpërmjet një sistemi bankar “të nëndheshëm” me përdorimin e komunikimeve të koduara, shuma të mëdha parash dhe llogaritet se për një periudhë rreth 10 mujore, shuma e trafikuar ishte 250 milionë euro.

Në kontrollin e kryer në banesën e të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma parash në kartëmonedha nga vende të ndryshme, duke përfshirë euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, dollarë australianë, franga zvicerane, lira turke, dirhemë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Rand i Afrikës së Jugut.

Autoritetet konfiskuan gjithashtu telefona celularë, duke përfshirë një telefon celular të përdorur për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tablet, një disk digjital dhe karta SIM.