Me sa duket të jesh servil i shefave të sjell përfitime. Ky është një ndër postulatet kryesore që për fat të keq shihet kudo në Shqipëri. Themi në Shqipëri pasi natyrisht në Bashkimin Europian vlerësohet performanca dhe jo se sa mirë i lëpihesh shefit.

E meqë jemi në Shqipëri, rasti e do që në rastin konkret t’i lëpihesh Ramës, Ballukut dhe disa ministrave të tjerë. Bëhet fjalë për inaugurimin e tunelit të Skarficës pjesë e rrugës së re Kardhiq-Delvinë. Ngjarja ka ndodhur në fillim të korrikut të këtij viti.

Nëse ju kujtohet në momentin kur vjen Rama, Balluku dhe ministrat e tjerë, priten me këngë polifonike nga një grup popullor. Nga videot e asaj date shikohet se kënga nuk zgjati më shumë se 2 minuta.

Teksti i këngës ishte me fjalë servile ndaj Ramës dhe qeverisë, e njëjta skenë siç ndodhte dikur edhe me Enver Hoxhën. Por nëse të gjithë menduan se këta këngëtarë e kënduan atë këngë servile vetëm për sahan-lëpirje, faktet flasin se e vërteta nuk qëndron tamam ashtu.

Në fakt rezulton se këngëtarët në fjalë janë shpërblyer nga shteti me plot 23 milionë lekë të vjetra. Këtë e vërtetojnë dokumentat e thesarit të shtetit ku rezulton se grupi në fjalë, i quajtur “Zëri i Bilbilit” është paguar me 23 milionë e 322 mijë lekë të vjetra nga ana e Bashkisë Sarandë.

Zëri i shpenzimit është kategorizuar si “Shpenzime për aktivitete sociale për personelin”. Pagesa është kryer në dy këste, në datë 29 korrik 2022 për vlerën 1 milionë e 272 mijë lekë të vjetra dhe në datën 1 shtator 2022 në vlerën 22 milionë e 50 mijë lekë të vjetra.