23 operacione policore janë zhvilluar gjatë kësaj jave në vendin tonë.
Operacionet e koduara janë: “Compensation”, “Tenderat”, “Wares 2”, “Contraband 2”, “Unstoppable”, “Account”, “Diesel 3”, “Doses”, “Five”, “Ndjekja”/Durrës, “Seats”, “Double”, “Ypsilon”, “Sunset”, “Prevent”, “Autumn”, “Zgjedhja e gabuar”, “Ndjekja”/Lezhë, “Help”, “Grecalli”, “Tentativa”, “Four” dhe “Wanted”.
Gjithashtu 123 persona janë arrestuar, 266 janë proceduar penalisht dhe 17 janë shpallur në kërkim.
Janë goditur 8 raste të veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës. 4 operacione policore të finalizuara nga DVP Tiranë dhe 2 nga DVP Durrës, me këtë fokus.
Si rezultat i tyre, 6 shtetas janë vënë në pranga, 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 2 tonë naftë, rreth 3.8 kg ar, paketa me cigare, pajisje elektrike e bujqësore, si dhe mallra të tjera të kontrabanduara.
6 shtetas të kërkuar, janë vënë në pranga gjatë kësaj jave, në Shkodër, Korçë dhe PKK Tushemisht. 5 të ndaluarit ishin shpallur në kërkim për vrasje me dashje, veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe mashtrim.
I ndaluari në Korçë u kap si rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet DVP Korçë, DVP Tiranë dhe FAST Albania, si rezultat i operacionit policor “Ëanted“. Ky shtetas ishte i kërkuar për vrasje me paramendim, për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.
Nga strukturat e DVP Shkodër u identifikua dhe u shpall në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas.
Operacioni policor i koduar “Ndjekja” në Lezhë – U identifikuan dhe u vunë në pranga 2 vëllezërit që vodhën gjatë mesnatës, nën kërcënimin e një kallashnikovi, xhiron ditore të një karburanti dhe u larguan menjëherë me motoçikletë. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan sendet e kundërligjshme të përdorura.
Operacioni policor i koduar “Tenderat” në Tiranë- U vunë në pranga 4 punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për abuzim me disa tendera.
Në fushën e narkotikëve janë finalizuar 6 operacione, nga strukturat e DVP-ve Tiranë, Durrës, Berat, Fier dhe Dibër. Janë sekuestuar rreth 5.8 kg kanabis në proces tharjeje, doza kanabisi e kokaine, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike.
Operacionet “Zgjedhja e gabuar” dhe “Help”, në Lezhë dhe në Kukës, të finalizuara gjatë kësaj jave. 3 shtetas të vënë në pranga për transportimin e 19 emigrantëve në total, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Një sërë rastesh të vjedhjeve janë zbardhur në Tiranë, Durrës dhe Berat, si dhe 5 autorët e dyshuar të tyre janë vënë në pranga.
Janë lokalizuar dhe kapur 21 persona në kërkim kombëtar.
Janë goditur 6 raste të armëmbajtjes pa leje dhe janë sekuestruar 8 armë zjarri, 1 armë gjahu, 1 silenciator, 2 thika dhe 1 dorezë.
Janë evidentuar dhe goditur 22 raste të krimeve mjedisore dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 36 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 31 raste.
Janë evidentuar dhe goditur 4 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar të tyre.
Policia Rrugore/Vijon monitorimi i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar 368 leje drejtimi, nga të cilat: 297 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 51 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 38 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë arrestuar 56 drejtues mjetesh, nga këta: 35 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 21 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 2 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.
Policia Kufitare/Vijojnë kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Të angazhuar për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, shërbim sa më cilësor.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar gjatë kontrollit në vijën e dytë dhe kanë sekuestruar 14 500 euro në Morinë dhe 21 550 paund sterlina në Rinas, të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore, nga 2 shtetas tashmë nën hetim.
Janë goditur 11 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 për “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 12 për “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.