Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë, reagon për arrestimin e mjekut pasditen e djeshme te Spitali i Traumës, duke dënuar mënyrën që u zgjodh nga Policia e Shtetit për operacionin, me agjent me maska dhe të armatosur.
“Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë”, thuhet në reagim.
Po ahstu, Shoqata shkruan se pamjet e bëra publike ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend.
Reagimi i plotë – Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë
Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje rastin e ndalimit të kolegut tonë anestezist në Spitalin e Traumës, Fitim Marku. Ndërkohë që mbështesim cdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e cdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit te detyrës, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut.
Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha!
Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor!