Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie kombëtare për vdekjen e shkrimtarit, Ismail Kadare.

Presidenca njoftoi se e mërkura u shpall ditë zie kur edhe do të varroset shkrimtari, kurse Protokolli i Shtetit do të ngarkohet për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ditë zie është shpallur edhe në Shqipëri.

Kadare vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare. Osmani është shprehur se populli shqiptar e ka humbur kolosin dhe dijetarin më të njohur.