Ish-ministri Saimir Tahiri është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nuk dihet ende arsyeja pse u thirr në SPAK, teksa kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm u lirua nga qelia më 2 qershor të vitit 2023, pas 20 muajsh i burgosur.

Tahiri u lirua me vendim të Gjykatës së shkallës të parë e Elbasanit, ndërsa i kishte mbetur pa shlyer edhe një vjet e tetë muaj nga dënimi.

Ai u dënua me tre vjet e katër muaj heqje lirie, në shkurt të vitit 2022, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Gjykata e argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.

Pas lirimit, Tahiri do e kalonte pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, por sipas vendimit të Gjykatës, ai mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, kur Shërbimi i Provës është dakord”.