Në ndeshjen e së shtunës ndaj Italisë në Dortmund tërhoqi vëmendjen edhe një moment kur një tifoz shqiptar hyri në fushën e lojës. Kjo bëri që ndeshja të ndalej për disa minuta. Një ditë më pas mediat kanë zbuluar edhe identitetin e tij.

Ai quhet Sami Rexhepi dhe është me origjinë nga Skënderaj i Kosovës. Ai jeton në Dyseldorf të Gjermanisë dhe për mediat në Kosovë ka treguar arsyen se pse e mori atë veprim.

”Kam vënë bast me djalin tim. Kjo ka qenë arsyeja”, – raportohet të ketë thënë Rexhepi. Pasi u fut në fushë, Rexhepi përshëndeti disa prej futbollistëve të kombëtares. Më pas ndërhyri sigurimi i stadiumit. Shqiptari nuk u ndal pasi “dribloi” disa prej tyre, por një moment rrëshqiti në tokë dhe u arrit nga forcat e sigurisë.

Sami Rexhepi

Më pas ai u largua nga stadiumi ku siç thotë dhe vetë hyrjen në fushë e ka paguar me një çmim goxha të rëndë. Sipas Rexhepit, autoritetet e kanë penalizuar duke i ndaluar futjen në stadiumet gjermane në të ardhmen.